Erotika në prozën e Martin Amis

Erotika në prozën e Martin Amis

Vernon, personazhi i tregimit më të njohur të Martin Amis, mban statistikat e secilës herë që ka pasur dhe do të ketë seks me gruan e tij në tregimin “Let Me Count The Times” (Më lejoni të numëroj herët). Vernon është një personazh i ndrojtur sa në shoqëri dhe në shoqërim, po aq edhe në marrëdhëniet dhe raportet seksuale …

Ballsor Hoxha

A e keni parë se si revistat, gazetat dhe mediumet e tjera herë pas here hapin debate për numrin e marrëdhënieve seksuale ndërmjet një çifti. Jepen numra, episode, këshilla. Jepen edhe këshilla sa herë dhe si duhet pasur seks ndërmjet çifteve. A e keni parë se si seksi është bërë mënyrë e arritjes së atyre “atje”. Se si seksi është shumë më pak kënaqësi sesa shëmbëllim i jetës së mediave. Se si seksi është më shumë obligim i urdhëruar dhe se si seksi ka më pak kënaqësi dhe shumë më shumë nënshtrim të mediave dhe shoubizit. Pak kohë më parë kishte qarkulluar në internet një listë e vërtetë e herëve që gruaja e kishte refuzuar burrin e saj për seks. Dhe kjo ishte bërë lajm në tërë botën. Po nëse nesër fillojmë të planifikojmë, organizojmë, kalkulojmë dhe të matim statistikat e marrëdhënieve seksuale që kemi dhe do të kemi … Po nëse seksi që bëjmë kalon në statistikë që duhet përmbushur për ne, si normë … Për të gjitha këto Vernon, personazhi i tregimit më të njohur të Martin Amis, e ka një zgjidhje. Ai mban statistikat e secilës herë që ka, ka pasur dhe do të ketë seks me gruan e tij në tregimin “Let Me Count The Times” (Më lejoni të numëroj herët). Vernon është një personazh i ndrojtur sa në shoqëri dhe në shoqërim, po aq edhe në marrëdhëniet dhe raportet seksuale. Dhe sa u përket marrëdhënieve seksuale, ai ka organizuar çdo gjë. P.sh., në njërën javë ka shtatë net me radhë seks me gruan e tij dhe në javën tjetër vetëm dy herë; apo nëse në javën aktuale ka katër herë me radhë seks, të dytën do të ketë vetëm tri herë, por me kusht që javën e tretë të ketë seks vetëm një herë dhe kështu me radhë. Pastaj Vernon ka të llogaritur statistikisht, brenda këtij tregimi, secilën herë që do të ketë seks oral me gruan e tij, ndërsa sa u përket gjërave më të thella, siç janë ejakulimi në gojë apo në fytyrë të gruas së tij, ato shkojnë në statistika të detajuara, siç është 14325 herë në vit etj. Ka dy mënyra kryesore si e perceptojmë seksin sot: ose ai na jepet copë nga mediat, na jepet si model i të jetuarit që prej “Fifty Shades of Gray” e deri te modelet e parashikimit të motit ose, mënyra e dytë, është se ne, kryesisht për shkak të ndrojtjes, i mbyllim hermetikisht dëshirat tona seksuale dhe e zhveshim atë në funksion fizik dhe përjetojmë vetëm në këtë mënyrë. Por gjithashtu edhe i tërë konflikti sot i shoqërisë njerëzore është mbi pushtetin e njëri-tjetrit, gruas dhe burrit. Dhe pa asnjë dyshim e tëra shpaloset në episodet seksuale ndërmjet tyre. Vernon, personazhi i tregimit “Let me Count The Times”, është viktimë e këtij konflikti global. Në të vërtetë ai është viktimë e dyfishtë, së pari e dy sistemeve të perceptimit të seksit, atij të dhënë copë dhe atij të fshehur edhe nga vetja; dhe së dyti, nga konflikti burrë/grua për nënshtrimin e njëri-tjetrit.

Vernon, i cili ka shtatë ditë me radhë marrëdhënie seksuale me gruan e tij, magjepset nga udhëtimi i parë dhe i vetëm i tij jashtë qytetit të tij, magjepset seksualisht dhe shpërthen në 18 apo 19 masturbime (nuk është i sigurt për numrin) brenda vetëm 24 orëve të qëndrimit të tij jashtë qytetit ku jeton. Në një interpretim të kësaj simbolike “statistikore” letrare, kjo shpreh shpërthimin e personazhit Vernon tej kufijve që ia ka caktuar vetes (dhe me këtë edhe partneres së tij, bashkëshortes) dhe arrin të thyejë çdo rekord të mundshëm të ejakulimit mashkullor!! Duke qenë se kjo dalje e tij jashtë kufijve të “marres” së tij i jep kënaqësi tejet të madhe, Vernon vazhdon me ejakulimet e tij rekorde, arrin të thyejë çdo parashikim, planifikim, organizim dhe kalkulim të ejakulimeve të veta. Dhe mbi të gjitha, duke pasur marrëdhënie të rregullta me gruan e tij. Por ajo që ndodh, me gjithë hiperbolën e Martin Amis si autor, Vernon fillon të shpërthejë edhe muret e dëshirave të tij seksuale. Vernon, një njeri i druajtur, i tërhequr dhe posaçërisht i turpshëm në seks me gruan e tij, fillon të imagjinojë gruan e tij duke pasur marrëdhënie, një herë me romë, pastaj me një turk, pastaj me dy afrikanë, dhe në fund me të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe Vernon. (Jo që autori është i “çmendur”, por edhe personazhi çmendet!!!). Por në aventurat seksuale të Vernon, ky është vetëm pragu, pasi ka shpërthyer të gjitha këto barriera morale dhe të “turpit” të tij, ai më nuk është i kënaqur me këto (megjithëse ndien edhe dhembje psikike nga këto). Ai fillon të pushtojë “starletat” e Hollivudit. Është interesant se pikërisht në këtë ai vendos për gjeneratën e vjetër të tyre, Monroe, Dietrich etj. Por as këto nuk mjaftojnë, Vernon shpejt arrin të pushtojë tërë këtë univers hollivudian dhe kalon në letërsi. Fillon prej klasikëve e arrin deri te masturbimi me Desdemonën (për të cilën Vernon kupton se ajo ka qenë e etur për seks!!!) dhe Ofelinë melankolike. Arrin deri te figurat mitike dhe të historisë së lashtë. Pastaj, pavarësisht mundësive që i ofron vepra e D. H. Lawrence, ai po ashtu pushton dhe “harxhon” tërë universin e letërsisë. Nuk besoj se është lehtë e kuptueshme se kjo “potencë” është vetë pasiguria dhe megalomania e Vernon, njeriut të druajtur, të tërhequr dhe të turpshëm posaçërisht në seks. Tërë këto pushtime të tij janë njëlloj pushtimi i universit para se ai ta pushtojë atë. Është vetë frika nga kastrimi dhe impotenca. Mirëpo as kjo nuk e ndal atë, Vernon vazhdon duke u shndërruar në diell që penetron tokën dhe ndihmëset e saj, Vernon paramendon veten edhe ajër, edhe diell të zi, edhe, edhe çdo gjë që di dhe mund të dihet, vazhdimisht duke penetruar, ejakuluar, duke masturbuar dhe sigurisht në mendjen e tij duke pushtuar dhe nënshtruar. Por është një personazh, megjithëse e ndan shtratin me atë, e cila harrohet tërësisht nga Vernon në pushtimet e tij. Gruaja e tij, asnjë herë, në asnjë rast “nuk vëren” atë që është duke ndodhur. Bashkëshortja e Vernon shfaqet vetëm atëherë kur Vernon fillon të ndiejë dhembjet e “pushtimeve” të tij. Vetëm atëherë kur ai, së pari fillon të ketë ejakulime të hershme dhe pastaj edhe impotencë të përkohshme. Dhe është pikërisht gruaja që e dërgon në një pushim dhe në të cilën ai prapë shpërthen, por këtë herë në fytyrën e gruas së tij. Ata të dy humben në eksplorimet seksuale me njëri-tjetrin dhe kalojnë një natë të pashembullt në martesën e tyre. Vernon rikthehet edhe një herë në kalin e potencës. Krejt pa detaje dhe pa ndonjë dramë, as qortim gruaja ia fal Vernon. Ia fal me porosinë që të mos e përsërisë më. Ajo që ndodh me Vernon është se ai krejtësisht i nënshtruar, jo gruas/femrës, por natyrës dhe pamundësisë së tij si njeri (për të pushtuar tërë atë që ka me penisin e tij), dorëzohet në atë që ka, por edhe me premtimin për ta përsëritur eksplorimin e një nate më parë me gruan e tij. Tregimi “Let me count The Times” i Martin Amis, një nga më të bukurit e tij, mund të lexohet si një parodi e burrit të martuar nën konfliktin e atyre që u cekën më lart, dy sistemeve të perceptimit të seksit dhe marrëdhënies seksuale. Mirëpo në një lexim pak më serioz del krejtësisht e qartë frika e personazhit Vernon në këtë tregim, si simbolikë e burrit të martuar, në ankth nga lufta apo thënë më saktë konflikti global seksual, në ankth për të gjetur një spirancë dhe në ankth për të përjetuar tërë “mitin” e seksit. Personazhi Vernon as nuk do të kishte pasur epsh për pushtimin e tërë universit po të kishte pasur një marrëdhënie me gruan e tij. Dhe ai nuk ka një marrëdhënie, sepse i frikësohet tërë asaj që “shitet” jashtë dhomës së tij të gjumit, e që është kërcënim për atë. Pak më seriozisht, ky tregim “Let Me Count The Times”, është në të vërtetë ankthi global apo i globalizimit: krejt rastësisht në zyrën e vendit ku punon blihet një kompjuter etj. (janë vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar) dhe krejt rastësisht ai dërgohet për të blerë kalkulatorë në qytetin tjetër. Janë pikërisht këto simbole që shfaqin shndërrimin e botës, në statistika, në kalkulime etj. Vetë ky përparim i simbolizuar nga këto simbole është ankthi më i madh i Vernon, për të cilin ai vetë nuk është i vetëdijshëm. Janë këto shenja të përshpejtimit të botës që e fusin në ankth Vernonin për të pushtuar çdo gjë që ka njohur dhe ditur ndonjëherë, me gruan e tij në shtratin e martesës që “nuk merr vesh asgjë”.