Naipaul, argjentinasit, Kosova, …

Naipaul, argjentinasit, Kosova, …

Në 30-vjetorin e vdekjes të Jorge Luis Borges (1899 – 14 qershor, 1986)

Në librin voluminoz “Shkrimtari dhe bota” autori V. S. Naipaul në udhëpërshkrimet e tij nëpër vende të ndryshme të botës, në pesë kontinente, ka arritur një përvojë jetësore për gjenerata të reja. Esetë e tij janë një pasqyrë ndjeshmërie për të gjitha ato vende dhe personalitete. Dhe një nga udhëtimet e tij, përkatësisht një nga esetë më të thella (më i gjati në këtë vepër) është në lidhje me Argjentinën. Në mesin e personaliteteve të njohura që ka takuar dhe janë objekt përshkrimi në veprën e Naipaul është edhe Jorge L. Borges.

Shenjëzimi semantik i fragmentarizmit dhe shtresimi sentencial i një metateksti formal e përmbajtësor të thënë në një udhëpërshkrim te V. S. Naipaul …

Nëse fragmentarizmi është një nga format kanonike të postmodernes atëherë në këtë shkrim vjen e bëhet shenjëzim referencial si një pamje e “copëzuar” dhe “diferencë” për të arritur në thelbin e shpërndarë në hapësirën krijuese të një udhëpërshkrimi. Gjithashtu, një nga shtresat e konceptimit tekstual të autorit, një nga shtresat e thella semantike të veprës është edhe ajo e formimit dhe nxjerrjes së sentencës, a lënia e “ngrirë” e citatit si krijim i unit të autorit dhe fragmentit rrëfimtar.

 

Urimi i ditëlindjes me “Shkrimtari dhe bota” 

Për t’më uruar ditëlindjen e 50-të nga motra, Lulaverja, që vizitonte për herë të parë Shqipërinë, përzgjodha të ma dhuronte librin e V. S. Naipaul “Shkrimtari dhe bota”(“Saras”, Tiranë, 2015, përktheu: Blendi Lami), që siç thotë për këtë vepër Alda Bardhyli (në shkrimin e dy viteve më parë “Një nobelist që rrëzohet”) është “një përmbledhje esesh të Naipaul, një gërshetim i letërsisë, por dhe i një syri kritik në lidhje me shoqëritë postkoloniale…”

Në përvjetorin e 30 të vdekjes së Borges, si homazh rileximi i tri formave të shkrimit eseistik “përkushtues”. Një “parim” a rrjedh leximi i nxjerr ad hoc, i pabazuar në asnjë nga tri parametrat (kohët) e mëparshme (koha e krijimit, koha e përkthimit në shqip, koha e leximit) apo të gërshetuara në njëra-tjetrën qoftë në përmbajtje, qoftë në formë në një diakroni a sinkroni të vetvetishme. Tre shkrimtarë, tre studiues nga kënde dhe qasje nga më të ndryshme, në largësi të pandikuara që bashkëkrijojnë unin në dimensione e përmasash të gjithhershme për lexime të ardhshme: V. S. Naipaul (“Argjentina dhe fantazma e Eva Peronit, 1972-1991”), Umberto Eco (“Borgesi dhe ankthi im i ndikimit”) dhe Sabri Hamiti (“Horhe Luis Borges: Utopia e një burri të lodhur”).

Njëjtësimi i kohës së krijimit me kohën e përkthimit në një anë dhe në kohën e botimit në gjuhën shqipe (për lexuesin që nuk njeh gjuhë tjetër) është një element që nxit një përplasje në kohë e që për dijen “lokale” nuk ka edhe ndonjë risi të veçantë. Vlefshmëria i takon kohës së krijimit për shkrimtarin, ndërsa për lexuesin vjen si një dije shtesë.

 

“Udhëtimet” e Naipaul me personalitete të njohura dhe portreti i Borges 

Në mesin e personaliteteve, si: Mukat Behari Lal Bhargava (1903 – 1980 Jaipur), Pushpa Mittra Bhargava (1928 – ,  Ajmer, Rajasthan), Robert Llewellyn Bradshaw (1916 – 1978, kryeministër në Saint Kitts dhe Nevis), Michael de Freitas, Michael Abdul Malik, Michael X (1933 –1975, Trinidad dhe Tobago), Mobutu Sese Seko Kuku Ngbendu Wa Za Banga (1930 – 1997, president i Kongos), Georges Niangoran-Bouah (– 2002, antropolog, Bregu i Fildishtë), Jacques Soustelle (1912 – 1990, etnolog, akademik, SHBA), Norman Kingsley Mailer (1923 – 2007, romancier, gazetar, eseist, dramaturg, aktor, producent filmash, Nju Jork), María Eva Duarte de Perón (1919 – 1952, gruaja e Huan Peronit, Argjentinë), Cheddi Berret Jagan (1918 – 1997, Guajanë), etj. V. S. Naipaul, në udhëtimet e tij në Amerikën Jugore, na jep edhe portretin e shkrimtarit argjentinas, Jorge Luis Borges (Buenos Aires, 24 gusht 1899 – Gjenevë, 14 qershor, 1986).

Shkrimi i gjatë “Argjentina dhe fantazma e Eva Peronit, 1972-1991” është i ndarë në gjashtë pjesë në të cilët kanë zënë vend katër (?) udhëtimet e autorit në Argjentinë. Dhe që në hyrje a shkrimi i parë “Kufoma te Porta e Hekurt” fillon si kërkim a përngjasim me diskursin borgesian: “Ta përshkruajmë si një histori të Luis Borgesit”. Titulli i pjesës së dytë është nxjerrë nga vargjet e Borges-it që citohen në shkrimin e parë, nga poema “Themelimi mitik i Buenos Airesit” të Borges-it. “Dhe njerëzit jetonin bashkërisht një të kaluar të rreme”. (f. 386)

Pjesa “Borgesi dhe e kaluara e rreme” është një profil shterues në kushtim për Borges-in, por gjithmonë duke pas parasysh përmendjen e Borgesit përgjatë gjithë pjesëve të tjera, citateve të Borges në shkrimin “Argjentina dhe fantazma …”

Për nobelistin Naipaul, Borgesi është shkrimtar i madh, një poet i ëmbël e melankolik të cilin spanjishtfolësit do ta nderojnë edhe si një shkrimtar i prozës së drejtpërdrejtë, joretorike. Dilema e mosmarrjes së çmimit “Nobel” shthuret ndoshta ngase madhështia e tij e errësoi e pavërteta dhe fryrja “si një argjentinas i verbër dhe i vjetër, shkrimtar i tregimeve shumë të pakta, shumë të shkurtra dhe shumë misterioze”. Kësaj autori do “t’i kundërvihet” duke thënë se “në pikën kulmore nuk është as misterioz as i vështirë”.

Një koncizitet konservatorizmi klasik në përjetësinë e kodit borgesian të diskursit të ndryshimit të së kaluarës në vete përmes gjuhës së rrëfimit tregimtar apo siç thotë Naipaul tregimet kanë “natyrën e shakave intelektuale”. Dhe në këtë rrjedhë, nobelisti trajton mënyrën e lojës intelektuale, kodin tregimtar të Borges-it duke marrë shembull dy fjalë, dy koncepte, dy nocione tashmë borgesiane, “i pavdekshëm” dhe “e paharrueshme” në strukturën e tyre ekzistenciale nëpër kohë e hapësirë në përjetësinë dhe kujtesën e tyre. Naipaul ndalon te pjesa më madhështore prozaike, siç e cilëson si një shaka të thjeshtë “Mbi saktësinë në shkencë” duke e cituar gati në tërësi, një gërshetim mes absurdit, parodisë, groteskut (botuar edhe të “I pavdekshmi”, botimi i Prishtinës i vitit 1981- vër. jona).

 

Naipaul, argjentinasit, Kosova, …

Gjendja në Kosovën e sotme sikur i takon kohës së fillimviteve të 70-ta që po kalonte Argjentina dhe Buenos Airesi. V. S. Naipaul me fjalët e një kamerieri në Mendozë e përshkruan kështu: “Argjentinasit nuk e kanë me qejf punën. Në nuk mund të bëjmë ndonjë gjë të madhe. Çdo gjë që bëjmë, është e vogël dhe e parëndësishme”. Është kjo gjendja nëpër të cilën po kalojnë argjentinasit. Dhe më domethënëse, më analogjike mund të jetë zhvillimi i shoqërisë e në veçanti arti i të punuarit, mjeshtërisë dhe profesionalizmit. Po sipas Naipaul, një artist tha: “Në këtë vend ka pak profesionistë. Askush nuk e ka haberin se pse bën një punë të caktuar. Për këtë arsye, nëse ti bën atë çka bëj unë, atëherë ti je armiku im”. (“Shkrimtari dhe bota”, f. 396)

Identiteti? Borges?! Shpjegimin e tregimit të tij, Borges e gjen edhe në vende të largëta, në praninë e tij, ta zëmë në një vend në SHBA. Naipaul citon shoqëruesin e Borges në SHBA, Norman Tomas di Xhovanin. Fisnikëria e tij shprehet kur lexuesit të tregimeve, shpjeguesit i thotë: “kam bërë gjithë këtë rrugë nga Buenos Airesi. … për të zbuluar këtë të vërtetë për vetveten dhe tregimin tim”. Shkrimtari ka një atdhe. Borges flet edhe për indianët e pampës, për paraardhësit e tij anglezë. Hermafrodizmi dhe universalizmi i identitetit të Borges-it përplaset me njëjtësinë dhe gjenezën deri në zanafillën përcaktuese të së kaluarës dhe të ardhmes për të kaluarën.

Të heqim dorë nga identiteti shqiptar e të bëhemi kosovarë? Apo vetvetiu jam kosovar?! Një shkrimtar mund të këtë mëdyshje, por identiteti (i njëtrajtshëm) do të mbizotërojë edhe të ardhmen, sepse kjo është e sotmja.

 

“Fundi trojan” dhe dimensioni i frymës ekzistenciale 

Personaliteti i shkrimtarit Borges në një faqe tekst te pjesa “Argjentina dhe ideja e gjakderdhjes” vjen me të gjitha pamjet, karakterin, formësimin dhe qëndrimet e tij, por jo vetëm Argjentinën, patriotizmin, por edhe unin krijues, përjetuesi i tërë dramës dhe gjakderdhjes që ndodhte në Argjentinë, shpërfillësi i Peronit. Puna e tij ishte ngushëllimi i vetëm. Dhe shpresonte në pritjen për “një fund trojan”. Po në këtë pjesë, si portretizim shkrimtari Naipaul do të citoj poezinë e shkurtër të Borges kushtuar shkrimtarit Manuel Mubika Lainez në të cilën ndihet trishtimi i Borgesit. Borgesi kishte profetizuar kurthin e situatës atë “fundin trojan” që na del për herë të tretë në shkrimin e Naipaul, shkrim që nëse heqim “Borgesi dhe e kaluara e rreme” emrin e tij e përmend në 33 herë gjithnjë në kontekstin e njohurive të Borges të takimit të vitit 1972 mes dy shkrimtarëve në Buenos Aires.

Dualizmi dhe universalizmi i një shkrimtari në përballjet mes identitetit, patriotizmit, unit poetik e mjeshtërisë krijuese gërshetohet në vetvete në personalitetin e Borges-it. Sipas V. S. Naipaul është Borges që ndërton rrëfimin për Argjentinën, profetizon jo vetëm fundin trojan, por edhe rrjedhën e kujtesës, njohjen e të kaluarës. Në të gjitha udhëtimet e Naipaul në Argjentinë dhe në udhëpërshkrimin eseistik të tij vërehet ndikimi, fryma dhe hija e Borges. Dhe e gjitha si një realitet i një shekulli të tërë në sytë e shkrimtarit të verbër që e sheh botën në të gjitha dimensionet e frymës ekzistenciale jo vetëm si fiksion.

 

“Fanatizmi” deri në ekstremin e heshtjes dhe tregimi për nënën

Krijimtarinë e Borges sidomos atë të shprehur në intervista, Naipaul i cilëson si një luftë e performancë koloniale me një shaka të parashikueshme, me një sens dijeje për të arritur në thellësitë e njohjes dhe gjykimeve ndaj indianëve të pampës, emigrantëve spanjollë, letërsinë e vjetër angleze etj., deri te patriotizmi i tij dhe “arratia intelektuale” nga Argjentina. Dhe si finalizim i kësaj kujtesa e harresës se kujtuar në mbrojtje të identitetit dhe të kaluarës argjentinase, realitetit argjentinas.

Naipaul përshkruan pamjen e Borges-it. Në të gërshetohet ideali i shtresës së mesme, sjellja fisnike e tij dhe privatësia prej shkrimtari. Naipaul sjell përmbajtjen e “Një ese autobiografike” në të cilën thuhen gjërat thelbësore dhe një biografi e paktë e shkrimtarit. Jeta e tij në të vërtetë përfshihet në librin e tij të parë me poezi në vitin 1923.

Uni krijues dhe kthesat në peripecitë për identitetin dhe ekzistencën e shkrimtarit i parë me syrin e nobelistit Naipaul, në të vërtetë nga shkrimtari anglishtshkrues-folës në udhëpërshkrimin e tij drejt dhe larg Argjentinës, shkrimtari i asaj hapësire dhe si i huaj nën prizmin e shikimit nga Londra në vitet ’70, ’80 të shekullit 20 që tashmë mbetën, gozhdohen në vitet e arta të njerëzimit, kohë në të cilën kishte më pak luftëra, më pak vdekje e vrasje, më pak të sëmurë e më shumë liberalizim udhëtimesh e liri shprehjeje. Liria e pakufishme e shprehja pa moral është degjenerim i vetë lirisë në përgjithësi.

Konsekuenca e Borges-it dhe “fanatizmi” i tij deri në ekstremin e heshtjes që të mos përmend emrin e sundimtarit Peroni është një tjetër aventurë kuptimplote dhe një mesazh e homazh për qëndrimet e një intelektuali ndaj një personaliteti politik. Po të krahasojmë me të sotmen vërtet raportet shkrimtar-politikan janë përtej vijës së kuptimit duke shkuar në shpërthime fyese e denigruese.

Tregimi i Borges për nënën citohet nga Naipaul. Në 100-vjetorin e Republikës Borges-i dhe nëna e tij e mendonin Argjentinën si një vend të nderuar. Këtyre të dyve ju vinin edhe kërcënime të vazhdueshme. Është një ide anakronike të thuhet se dy pleqtë jetonin pranë njëri-tjetrit, megjithatë nëna ishte 95 vjet e i biri mbi të 70-at. Një refleksion i çastit: Në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (me 28 nëntor 2012) papritur dhe pa u parapërgatitur, në paraditen me shi, kur nëna lëngonte nga sëmundja, morëm rrugën autostop për Tiranë. Arritëm pasdite duke qëndruar deri në mbrëmje vonë. Sa herë lexoj këtë fragment te Naipaul dhe rrethanat e kujtesës së Borges për vitin 1910 dhe jetën e nënës dhe të birit në moshë të thyer (ndërmjet moshëvdekjes së nënës së Borges dhe vetë Borges nuk ka më shumë se 11 vjet. Nëna i vdiq në vitin 1975 e Borges 1986) rikujtoj shoqërimin nëpër spitale të nënës, tashmë të ndjerë, qëndrimet dhe frika e saj ndaj të ardhmes time (fatmirësisht është pronari i ri i një gazete ditore dhe F. M. që gëzuan nënën vetëm disa javë para vdekjes me inkuadrimin tim në punë).

 

Në “qytetin që e ka pushtuar urrejtja” dhe përvjetorët 

Përshkrimin që u bën Naipaul disa detajeve të qytetit Buenos Aires sikur i ngjan Prishtinës së sotme! Flamuri i zbehtë, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare e pistë nga pluhuri, rrobe të palara të varura në një korridor, pllakat e shkallëve copë-copë, shkallarja metalike në formë spirale është bllokuar nga hedhurinat etj. etj., apo “kjo është një ndërtesë qeveritare, një departament i Ministrisë së Punës, e cila dëshmon një administratë që po mbyt një qytet në agoni, një vend që nuk ka punuar në të vërtetë” a s’janë realitete saktësisht analoge me pamjen e qytetit të Prishtinës, a nëse më lejohet të Tiranës?!

“Qytetin e ka pushtuar urrejtja”, thotë Naipaul. A nuk urrehen sot institucionet në mes vete, a nuk urrehen sot lagjet në mes vete, a nuk urrehen sot klasat e të njëjtave paralele në mes vete, a nuk urrehen sot (deri në ekstrem) partitë politike në mes vete, a nuk urrehen sot vëllezërit në mes vete?! Naipaul ndërhyn mes unit  të shkrimtarit dhe ushtarakëve heronj paraardhës që vdiqën në beteja. E gjithë kjo në “beteja të papërfillshme” dhe “vdekje të paefektshme”, por që në vargun e shkrimtarit arrijnë si një univers epik krijimtarie të mrekullueshme. Efekti i rileximit është një gjetje tjetër për analogji të mëtutjeshme. “Vdekje të paefektshme” mund të jetë një nocion relativ sa i përket luftës së fundit në Kosovë. I parë nga koha e sotme sikur kjo edhe mund të jetë një realitet kontradiktor, por rrjedha e vrasjeve në Kosovë çast ndërhyrës dhe vendimtar kishte masakrën e Reçakut. Efektiviteti përcaktues kombëtar mbetet vrasja e familjes Jasharaj që më pas të ngrihet edhe në panteonin ndërkombëtar, por efektiviteti i masakrës së Reçakut ishte një kumt për ndërhyrje ndërkombëtare që më pas të fragmentizohet në një përvjetor “të rëndomtë” në planin nacional dhe në rrjedhshmërinë e disa ngjarjeve që ndodhnin anekënd Kosovës, si masakra e Mejës, e Krushës së Madhe dhe të Vogël, dy, tri ofensivat në Drenicë, kolona e Gollakut etj. etj.,

Naipaul takohet me Borges-in dhe sjell disa nga qëndrimet e Borges ndaj paraardhësve të tij anglezë, për nordikët e degjeneruar, kush janë njerëz të qytetëruar, për historinë e Argjentinës, për luftërat civile si të pakuptimta etj.

Te takimi i fundit me Borges pasi u kthye nga Montevideoja, Naipaul sheh brishtësinë, dobësinë fizike, pikëllimin për vrasjen në Montevideo etj. Naipaul shkrimin e përfundon me një gjendje të vet personalitetit të Borges: “Tashmë, Montevideoja, ashtu si Buenos Airesi, ashtu si Argjentina, ishte e magjishme vetëm në kujtesën e tij dhe krijimtarinë e tij”.

 

Histori shkëputjesh dhe “patriotizmi argjentinas”

V. S. Naipaul bën pakt me diskursin krijues të Borgesit. Shkrimin e gjatë “Argjentina dhe fantazma e Eva Peronit, 1972-1991”, përkatësisht kapitullin e parë “Kufoma te Porta e Hekurt” e nis më këtë “ndikim” dhe kushtim “ta përshkruajmë si një histori të Luis Borgesit”. Historia e përmbysjes së diktatorit sipas Borges “është një histori që unë nuk do të mund ta shkruaja kurrë”. Naipaul më tej citon vargjet e poemës së Borges “Themelimi mitik i Buenos Airesit”. Dhe takimi me Borgesin, bisedat për peronizmin, për Argjentinën. Për V. S. Naipaul-in Borges-i është njeriu më i madh i Argjentinës. Derisa Naipaul thotë Borges-i zëvendëson reflektimin për historinë e vendit të tij me nderimin për paraardhësit, ky i fundit të tij me Naipaul ka thënë: “Historia e Argjentinës është historia e shkëputjes nga Spanja”.

Nëse mund ta konsiderojmë se kapitulli “Kufoma të Porta e Hekurt” si një hyrje e ndikimit Borgesian në udhëpërshkrimet e Naipaulit për Argjentinën, nëse shkrimi “Borgesi dhe e kaluara e rreme” është kapitulli në kushtim të shkrimtarit të madh argjentinas, kapitulli “Argjentina dhe ideja e gjakderdhjes” mund të jetë një epilog përmbylljeje e dijes për marrëdhënien e Borgesit me Argjentinën si ndikim i Naipaulit.

Borges ishte patriot argjentinas në moshë të re. Më pas, në periudhën e peronizmit ishte shpërfillës. “Puna ishte ngushëllimi i tij i vetëm”, thoshte Naipaul. Dhe në analogji me shkrimin kryesor për Borges, Naipaul do të shprehet se për Borgesin, Argjentina ishte një vend, të cilin ai e kishte humbur. Diskursi paralajmërues i Borgesit, që ishte gjetje e V. S. Naipaul, për fundin e periudhës peroniste ishte “fundi trojan” që e përdor tri herë (faqe 453, 458 dhe 172) për t’u ngritur në kod profetik, si pikënisje e kurthit të situatës deri në zhdukjen e një të keqeje, siç ishte shpërfytyrimi i idealeve të guerilasve.

Enver S. Morina