Vera Bekteshi dhe Virion Graci përballë autorëve të rinj

Vera Bekteshi dhe Virion Graci përballë autorëve të rinj

Një mbrëmje letrare kushtuar të rinjve. Revista letrare “Saras” mbledh autorët e rinj në një diskutim mbi letërsinë, në “Tulla Art Center”.

“E dija që një ditë do të shkruaja”. Me këtë fjali Vera Bekteshi një emër i njohur në letrat shqipe iu drejtua letrarëve të rinj, që u bënë bashkë në 1-vjetorin e revistës letrare “Saras” në “Tulla Art Center”. Personazhe të njohura të letrave dhe shkrimtarë të rinj, u bënë bashkë në një mbrëmje të gjatë letrare shoqëruar me diskutime mbi letërsinë dhe lexime vargjesh të zgjedhura apo proze të shkurtër. Vera Bekteshi dhe Virion Graci një tjetër emër i njohur në letrat shqipe pas viteve ’90, ndanë me të rinjtë rrugëtimin e tyre letrar, me një audiencë të rinjsh që sapo kanë botuar poezitë apo tregimet e para. Ish-studentja e shkëlqyer e fizikës dhe një nga vajzat e bukura të ish-Bllokut, jeta e saj do të ndryshonte përgjithmonë pas dënimit të të atit. Familja do të internohej në fshatin Kutali të Beratit, e bashkë me punën dhe ëndrrat Vera do të humbte dhe bashkëshortin (divorc) duke e gjetur veten shumë larg ëndrrave të saj, në një punë tejet të zakonshme fshati. “Në mes të vuajtjes gjithnjë më bënin përshtypje detajet, gjërat e vogla, e të mrekullueshme të natyrës dhe thosha me vete se një ditë unë do t’i shkruaj këto ngjarje”, do të shprehej Vera. Gjithë jetën e saj në internim ajo do ta tregonte në romanin “Vila me dy porta”. Me një aftësi të jashtëzakonshme të kujtesës Vera tregoi 16 vitet e internimit, duke i shndërruar ato në një prozë letrare. Letërsia e Bekteshit nuk është thjesht letërsi. Ajo mbart brenda dhe zërin e kujtesës tepër i rëndësishëm në kapërcyellin e kohëve. Duke iu drejtuar të rinjve ajo tha se “ka gjithnjë kohë për të shkruar, thjesht nuk duhet ta vonojnë atë”. Bekteshi vlerësoi punën e revistës letrare “Saras” jo vetëm për shijen e letërsisë së mirë që ofron, por dhe në rolin edukues që ka tek autorët e rinj.

Sipas saj, revistat janë tribu të mendimit përmes së cilave mund të shohësh zërat dhe mendimin e kohës. Virion Graci, një emër që i përket brezit të shkrimtarëve që hynë në letërsi pas viteve ’90, pasi foli për romanin e tij të parë “Babai në shi”, për t’u ndalur te romani më i ri “Stina e hijeve” e për të vazhduar në një komunikim mbi raportin mes të rinjve dhe letërsisë. “Të gjithë shpresojmë të jemi vërtet shkrimtarë e po aq duam që përherë të jemi të rinj. Unë do t’u këshilloj ta doni letërsinë e krijuar para jush, ta lexoni e ta ndiqni me dashamirësi e vëmendje letërsinë bashkëkohore të gjuhës shqipe dhe atë që shkruhet në botë, të keni respekt për punën dhe individualitetin e çdo njeriu krijues; të dini mirë se një njeri i vetëm, sado i madh e prodhimtar në jetë nuk e bën dot letërsinë, pra i riu krijues të ketë fytyrën e vet mes dhjetëra fytyrave të tjera e të mos e përfytyrojë veten si  një rubin në shkretëtirë”, tha Graci. Duke marrë shembull nga aktiviteti i organizuar nga “Saras”, Graci i këshilloi të organizoheshin në rrethe a grupe krijuesish, të kishin një faqen e tyre kulturore, një gazetë periodike ose të mbështeteshin në ndonjë revistë të mirëfilltë kulturore-letrare ku të botonin herë pas here krijimtari vetjake, intervista, përkthime, eseistikë. “Aty mund të nisë afrimimi si krijues dhe si njerëz të mendimit”, tha ai. Duke u ndalur te revista letrare “Saras” përgjatë një viti Graci tha se “në një vit ka krijuar një fond të shkëlqyer me intervista nga njerëz të dalluar të artit, të kulturës; ka botuar letërsi cilësore artistike, përkthime nga letërsia e përzgjedhur botërore, ka përcjellë mjaft autorë dhe ngjarje të shënuara nga ajo që është mirëfilli me vlerë nga arena letrare brenda e jashtë vendit tonë”. “Përveç këtyre do ta çmoja “Saras”-in për etikën e lartë në ndërtimin e dialogut mes shkrimtarëve, në respektin dhe përkujdesjen e natyrshme ndaj çdo subjekti të përfshirë në bashkëpunim. Do të dëshiroja të ishte në variantin letër dhe të qarkullonte në ditën e saj në çdo pikë ku shpërndahet shtypi i përditshëm. Doemos, vlerën më të madhe do ta ketë në kohë: vite më vonë, brezat që vijnë do ta kenë një arkiv të çmuar koleksionin me numrat nga “Saras” dhe nuk do të mendojnë pa nderim për shkrimtarët, intelektualët, krijuesit dhe botuesit që e sollën në jetë dhe e pasuruan numër pas numri revistën tuaj”, tha ai. Përgjatë një viti në revistën letrare “Saras” kanë shkruar emrat më të njohur të mendimit shqip në hapësirat shqiptare Kosovë dhe Maqedoni. “Një vit më pas jam e bindur që “Saras” është jo vetëm një bibliotekë e pasur virtuale, por dhe një pasqyrë ku mund të shohim atë çfarë ndodh me terrenin letrar në vend”, tha kryeredaktorja e revistës, Alda Bardhyli. Në 12 numra të revistës letrare “Saras” janë trajtuar tema të ndryshme shumë pak të trajtuara në shkrimin letrar, duke e sjellë letërsinë në një formë ndryshe e më të thellë te lexuesit. Numri i parë i revistës nisi me temën e recensioneve si një paralajmërim mbi rolin dhe rëndësinë që kanë recensionet në jetën e një vendi. Në Shqipëri botohet jo pak letërsi, botohen studime letrare më të pakta këto, por ka gjithsesi, botohen përkthime. Por nuk recensionohet më nga askush. Ka humbur tradita e të shkruarit për shkrimet. Ka humbur ngaqë gabimisht recensionet shihen si “qokë”, ndaj shkruhen si qokë ose nuk shkruhen për të mos bërë “qokën”. “Saras” përgjatë një viti ka dashur të ndërtojë një standard të ri duke mbështetur shkrimin e recensionit të cilin dikur e gjenim në traditën e revistave si “Hylli i Dritës”, “Shejzat”, “Leka” apo “Përpjekja shqiptare”, të cilat janë plot me recensione. Çdo shkencë, e sidomos këto tonat, që ushtrojnë fjalën e shkruar dhe ushtrohen prej saj, rritet prej recensioneve. Arti Lushi një nga autorët e rinj që është prezantuar në faqet e revistës “Saras”, lexoi për të pranishmit pjesë të zgjedhura nga libri i tij me proza “Gjakime”. Nuk munguan as lexime nga Çesare Paveze, Ismail Kadare, Hemingway, apo të autorëve të rinj të pranishëm si Saimir Muzhaka.